Qeveria zyrtarizoi paketën fiskale, por ende nuk ka llogaritur faturën që do të kenë ndryshimet e disa taksave në buxhetin e shtetit. Nga Janari i vitit të ardhshëm 15.400 punonjës do të përfitojnë ulje të tatimit mbi pagën. Qeveria vendosi të rrisë kufirin për tatimin e pagës me 23%, nga 130 mijë Lekë në 150 mijë Lekë.
Aktualisht personat që kanë një rrogë mbi 130 mijë Lekë tatohen me 13 mijë Lekë plus 23% të diferencës të shumës mbi 130 mijë Lekë. Tashmë çdo individ që ka një pagë deri në 150 mijë Lekë, do të paguajë taksë 13% të shumës mbi 30 mijë Lekë.
Një tjetër ndryshim që sjell paketa fiskale është edhe ulja e tatimit mbi dividentin për biznesin nga 15 në 8%.
Edhe pse në vitin 2015-ë dividenti u rrit nga 10 në 15%, kjo taksë ka sjellë të ardhurat më të ulta në 2018-ën, tre herë më pak se një vit më parë dhe 50 herë më pak së në 2014-n, kur kjo taksë ishte 10%.
Qeveria do të përjashtojë nga tatimi mbi vlerën e shtuar lëndët e para për fabrikat e prodhimit farmaceutik, furnizimin për kontraktorët dhe nënkontraktorët në industrinë fason dhe do të çojë në 10% këtë taksë për importin e autobusëve elektrikë që përdoren në transportin publik.
Në 2019-n renta minerare për eksportin e kromit rritet 6 në 9% dhe po ashtu vendoset akcizë për zhavorret bituminoze që përdoren në ndërtim.