TIRANË-Paraditen e sotme INSTAT ka publikuar shifrat e rritjes ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2018. Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë të këtij viti vlerësohet me rritje prej 4,32%, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2017.
Sipas INSTAT ndikimin kryesor në këtë rritje e ka dhënë energjia elektrike dhe industria nxjerrëse me 2.37% të PBB. Edhe në tre mujorin e parë, ku rritja ishte 4,45 %, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2017 ndikimin kryesor e dha sërish sektori i energjisë, që ka ndikuar me 2.42%, më shumë se gjysmën e rritjes.
Në tre mujorin e dytë negativisht kontribuoi aktiviteti i Ndërtimit me -0,19 pikë përqindje, Informacionit dhe Komunikacionit me -0,16 pikë përqindje.
E PLOTE/ Kontributi sipas degëve:
Industria, Energjia dhe Uji me +2,37 pikë përqindje, Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe Shërbimi ushqimor me +0,82 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,44 pikë përqindje, Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi me +0,29 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi me +0,21 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +0,17 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,08 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,03 pikë përqindje. Negativisht kontribuoi aktiviteti i Ndërtimit me -0,19 pikë përqindje, Informacionit dhe Komunikacionit me -0,16 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me + 0,26 pikë përqindje.