Pasditen e së hënës në zyrën e Presidentit të Republikës ka mbërritur varianti i ri i ligjit për Teatrin. Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar Presidentit për shpallje ligjin e miratuar në 20 shtator, si dhe për njohje vendimin e Kuvendit.
Burime nga Kuvendi i thanë Report Tv se varianti i ri i ligjit mban numrin 37, numër që mbante edhe varianti i parë i ligjit për teatrin. Por si do të veprojë Presidenti i Republikës? A ka të drejtë ai të rikthejë për herë të dytë të njëjtin ligj? Palët politike kanë mendime të kundërta.
Juristët e grupit parlamentar socialist i thanë Report TV se kreu i shtetit nuk mund të kthejë dy herë të njëjtin ligj, pasi Kushtetuta ja njeh këtë të drejtë vetëm një herë. Për socialistët, ligji është i njëjti, sepse mban të njëjtin numër 37, pavarësisht se ka ndryshuar përmbajtja e tij.
Por demokratët mendojnë ndryshe. Për ta, pavarësisht se ligji mban të njëjtin numër, përmbajtja e tij është tërësisht e re, dhe për këtë, fton Presidentin të ushtrojë të drejtën kushtetuese të rikthimit të ligjit për shqyrtim.
Pavarësisht këtyre pritshmërive të ndryshme që palët politike kanë për mënyrën se si duhet të sillet Presidenti me këtë ligj, kreu i shtetit ka 20 ditë kohë, përfshirë dhe ditën e sotme për të marrë një vendim.
Aktualisht stafi i presidentit është duke shqyrtuar dy dokumentet e ardhura nga Kuvendi përpara se t?i sugjerojnë z. Meta një vendimmarrje. Pritet kthimi i presidentit nga Amerika, për të shpallur ligjin për mes dekretit apo për ta rrëzuar atë. Nuk përjashtohet mundësia e të mesmes së artë, që presidenti ta lërë ligjin të kalojë në heshtje duke mos u pozicionuar.