Report Tv dhe Shqiptarja.com zbulojnë një tjetër incident të kompanisë ajrore ?Blu Panorama?. Një pilot i kësaj kompanie është kapur i dehur nën efektet e alkoolit pak përpara se të hipte në bordin e avionit të cilin do ta pilotonte, paraditen e të shtunës, rreth orës 06:50. Avioni do bënte rrugën Tiranë-Bolonja dhe është nisur 2 orë me vonesë. Report TV dhe Shqiptarja.com ekskluzivisht nga burime pranë aeroportit të Nënë Tereza kanë mësuar të gjithë dinamikën e kësaj ngjarje të rëndë dhe emrin e pilotit.
Të njëjtat burime në kushtet e anonimatit kanë treguar se bëhet fjalë për pilotin spanjoll të Blue Panorama, Emilio Leone, 47-vjeç. Piloti i dehur është zbuluar nga punonjësit e kësaj linje ajrore të cilët kanë kërkuar ndihmën e policisë, e cila ka shmangur tragjedinë që mund të shkaktonte ky pilot i dehur. Efektivët e komisariatit të Rinasit janë vënë në lëvizje pasi kanë marrë njoftimin duke i bërë testin e alkoolit pilotit Emilio Leone. Nga testi me paisjen Drager ka rezultuar se alkooli në trupin e tij kapte vlerën e 0.32 % mbi normën e lejueshme.
Burime nga aeroporti i Rinasit i thanë Report Tv dhe Shqiptarja.com se avioni ishte gati për nisje me 200 pasagjerë në bord kur u zbulua se piloti ishte i dehur. Në të tilla kushte është anuluar menjëherë fluturimi për të pritur zëvendësimin e pilotit të dehur. Pikërisht ndërhyrja në kohë e policisë ka shmangur një situatë të paprecedentë në historinë e aviacionit shqiptar kur një pilot është zbuluar se ka tentuar të pilotojë i dehur. Ndaj pilotit spanjoll Emilio Leone nuk është aplikuar masa a arrestit, kjo pasi nuk e parashikon ligji shqiptar por vetëm i është ndaluar të fluturojë si dhe do procedohet në gjendje të lirë, sipas njoftimit të policisë Kufitare të Rinasit e cila konfirmoi edhe denoncimin e Report Tv. Për rastin në fjalë janë njoftuar dhe pala italiane e cila e ka licensuar Emilio Leonen.