Nga 1 Janari i vitit 2019 nuk do të lejohet importimi i makinave të përdorura mbi 10 vjet prodhim. Sipas Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, projektvendimi nuk prek makinat e përdorura, që janë aktualisht në qarkullim, por kufizon futjen e makinave të tilla pas këtij afati.
"Nuk do të kërkojmë heqjen e makinave që janë sot në qarkullim, por do të kërkojmë kufizimin e futjes së makinave të reja të përdorura më të vjetra se 10 vjet. Në vendet e BE nuk targohen më makinat të cilat nuk janë më me standardin euro 6, në vendet e BE, në shtetet e mëdha, në kryeqytetet e mëdha të botës, sot nuk lejohet të futen makinat që përdorin naftë, janë vetëm makinat me benzinë për të kufizuar ndotjen në qytete. Sot , në të gjithë BE nuk lejohen sot të targohen si në Shqipëri makina të standardeve euro 1 , euro 2, 3 dhe 4 të cilat ne duhet t? i kufizojmë dhe të krijojmë regjistrimin ndryshimin e standardeve me euro 5 dhe 6 për të pasur mundësinë që edhe këtu të ketë botën e makinave të standardizuar".
Sipas Klosit ky kufizim bëhet për 3 arsye.
"Ka ardhur koha që të vihen disa rregulla të cilat sigurojnë 3 gjëra shumë të mëdha; e para shëndetin e qytetarëve, e dyta të sigurohen njerëzit që të mos manipulohen për të konsumuar të ardhurat e tyre të kufizuara për të shkuar drejt një sistemi i cili i gënjen dhe i manipulon dhe e treta për të krijuar në Shqipëri një ambient të pastër, një destinacion të vërtetë për njerëzit që duan ta vizitojnë nga pikëpamja turistike".
Duke u ndalur tek problemi i makinave të pa targuara që janë aktualisht në vendin tonë, Klosi tha se do të lihet një afat 5 mujor që të regjistrohen.
Tv Klan