Pretendimi i kryetarit të opozitës Lulzim Basha se amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike për Vettingun e politikanëve janë të ngjashme me Vetingun në drejtësi, çka për rrjedhojë është e panevojshme vënia në lëvizje e Komisionit të Venecias, pasi Venecia është shprehur një herë për ligjin e Vettingut, është i pavërtetë. Shqiptarja.com ka identifikuar 7 ndryshime të rëndësishme mes projektligjit të propozuar nga PD për Vetingun e politikanëve dhe Vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndryshimet duket se janë arsyeja se pse përfaqësuesit e opozitës kundërshtojnë vënien në lëvizje të Komisionit të Venecias për të dhënë një opinion nëse nisma është në përputhje me Kushtetutën dhe konventat evropiane.
Mes Vettingut sipas PD dhe Vetingut në drejtësi ka një ndryshim thelbësor sa i takon standardit të kontrollit të figurës. Vettingu në drejtësi parashikon shkarkimin e subjekteve që kanë kontakte të papërshtatshme me krimin, ndërsa Vettingu i propozuar nga PD parashikon shkarkimin e funksionarëve të lartë që kanë thjeshtë kontakte me persona të përfshirë në krim të organizuar, duke përfshirë të gjitha llojet e kontakteve, qoftë takime elektorale apo kontakt të rastësishëm, dalje në një fotografi etj. Drafti i PD heq përcaktimin ?të papërshtatshme?, duke e bërë nismën evazive, nëse do të miratohet. Ky ndryshim vë në dyshim propozimin e Partisë Demokratike, propozim i cili mund të hidhet poshtë nga Komisioni i Venecias. Në këtë pikë, Vettingu në drejtësi është shumë i kujdesshëm dhe i detajuar, ku edhe kontaktet e papërshtatshme i përshkallëzon, duke parashikuar disa rrethana lehtësuese për subjektin.