TIRANE-Kryetari i PD, Lulzim Basha përmes një deklarate për mediat ka reaguar ashpër duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për aksionin e IKMT sot në Jalë për shembjen e 9 lokaleve dhe hoteleve pa leje, të përjashtuara nga procesi i legalizimit. Banorët u përplasën me policinë, duke pretenduar se nuk kishin pasur njoftim dhe se i kishin dokumentet të rregullta dhe 7 prej tyre u shoqëruan, ndërsa të pranishëm ishin edhe dy deputetë të opozitës. Lideri i PD akuzoi se Rama po tenton që të grabisë tokat në bregdet me qëllim që t?ua japë miqve të tij, ndërsa nga aksioni i sotëm përjashtoi kompleksin e Alban Xhillarit, që sipas Bashës është donator i kryeministrit.
Kryedemokrati tha se në krye të aksionit të IKMT, ishte Fatmir Meta, që sipas Bashës kërcënoi deputetit e opozitës Shehaj, ndërsa do të kallëzohet penalisht në prokurori. Basha u shpreh se Meta, është ish-shefi i komisariatit të Tropojës në 1998 dhe ?Me makinën e tij udhëtoi në Tiranë banda që ekzekutoi Azem Hajdarin. Po atë natë banda u kthye në Tropojë pa u ndaluar nga askush?. Në fund të konferencës, Basha paralajmëroi Ramën se nëse do iu preket edhe një fije floku opozitarëve do të mbajë përgjegjësi me kokën e tij.
Prania policore në Jalë ka qëllim grabitjen e trojeve. Ndërhyrja ka qenë e dhunshme dhe e paligjshme. Toka do i kalojë në pronësi ministrisë së Mbrojtjes për tu shndërruar në pasuri të miqve të Ramës. Është e njëjta skemë si me Teatrin. Ndërkohë që kompleksin e Alban Xhillarit, donatorit të Ramës që ka zaptuar bregdetin e Jalës nuk e preku. Deputetët tanë u nisën menjëherë pasi shpërtheu konflikti dhe dhunimit të banorëve. Policia dhe IKMT janë sjellë si banditë dhe me deputetët e opozitës. Kryeinspektori Fatmir Meta kërcënoi deputetin Shehaj, ndërkohë që ishte në detyrën e tij. Fatmiri i Nasibesë është ish-shefi i komisariatit të Tropojës në periudhën më të errët. Me makinën e tij udhëtoi në Tiranë banda që ekzekutoi Azem Hajdarin. Po atë natë banda u kthye në Tropojë pa u ndaluar nga askush. Asokohe së bashku me bandat u vranë 86 qytetarë, njëri prej të cilëve oficeri i policisë. Meta u vendos në krye të komisariatit si shpërblim me bandën e Zani Caushit. Ndërsa tani bashkëpunëtori në vrasjen e Hajdarit i shërben bandës së Ramës dhe Xhafajt. PD do të depozitojë sot padinë për banditin, rrota e drejtësisë do ta kapë për bishti, ndërsa Ramës po i jap këtë paralajmërim; nëse i preket një fije floku cdo opozitari nga banditi jot, përgjegjësinë do ta mbash ti në kokën tënde.