Laert Haxhiu njihet edhe si rival i Aldo Bares, madje një vit më parë gjatë masakrës së Lusjnjes ka pasur si shënjestër nipin e Aldo Bares, Xhulio Shkurtin. Nuk dihet ende cili është personi tjetër që kërkon RENEA. Burime të Shqiptarja.com dhe Report TV thonë se aksioni është në vazhdim dhe se policia ka rrethur zonën ku dyshohet se fshihen dy të kërkuarit.
Gjatë këtij aksioni ka mbetur i plagosur edhe 77-vjeçari Haxhi Lika nga fshati Remas i Divjakës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05.30, kur forcat e policisë kanë tentuar të hyjnë në banesën e të moshuarit, atje ku dyshohej se strehoheshin dy të kërkuarit e policisë. Në momentin që Policia ka bërë rrethimin e banesës dhe konform gjithë procedurave standarde të ndërhyrjes, shtetasi H.L., nuk i është përgjigjur thirrjes së Policisë, por ka dalë në dritare me një armë në dorë (rezultoi armë gjahu).
Ndodhur në këto kushte Policia ka qëlluar në ajër duke i bërë thirrje përsëri shtetasin H.L., për të dalë nga banesa. Policia thotë se, Në rrethana ende të paqarta shtetasi Haxhi Lika është dëmtuar në kokë dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Eksperti mjeko-ligjor po punon për përcaktimin e shkakut të dëmtimit dhe rrethanat. Po ashtu bëhet me dije se policia ka shoqëruar edhe dy djemtë e Haxhi Likës, Arben dhe Martin Likën. (Versioni zyrtar i policisë për ngjarjen).