http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://instagram.com/vizionplustelevizion
https://twitter.com/VizionPlusTV
Pas vendimit të gjykatës së krimeve të rënda, për sekuestrimin e pasurive të grupit të trafikut të kokainës në Spanjë, Vizion Plus ka zbardhur vendimin në të cilin renditen të gjitha pasuritë e identifikuara të këtij grupi.
Dhjetëra llogari bankare, biznese, apartamente, njësi tregtare, automjete dhe garazhde në emër të grupit, të të dyshuarve u sekuestruan nga Policia e Shtetit, pas vendimit të datës 3 shtator të gjyqtarit Bib Ndreca.
Në total vlera e pasurive të sekuestruara në emër të anëtarëve të këtij grupi të trafikut të kokainës, sipas policisë shkon në rreth 5 milionë euro. Prokurorët e krimeve të rënda dhe oficerët e njësisë së Task Forcës në Policinë e Shtetit, po kërkojnë për gjurmë të reja per pronat e këtij grupi.
Shoqëria ndërtuese ?Ardaro?, bashkë me asetet e saj janë vënë në sekuestro.
Në listën e pasurive të sekuestruara janë tri njësi tregtare me sipërfaqe rreth 500 metra katrorë si dhe tetë llogari bankare me rreth 20 mijë euro.
Po ashtu në listën e pasurive të sekuestruara janë renditur 5 garazhde që ndodhen në zonat më të rëndësishme të Tiranës.
Ky sekuestrim vjen pas shkëmbimit të informacioneve mes autoriteteve shqiptare dhe atyre spanjolle, në kuadër të hetimit të grupit të Julian Deblinit dhe Arjan Ndocit.
Këta të fundit janë arrestuar nga policia spanjolle me 30 prill 2018, pas një hetimi në të cilin u përfshinë DEA amerikane dhe Interpoli.
Në përfundim të operacionit policia spanjolle kapi 1 ton kokainë që vinte nga Amerika Latin.
Po ashtu në një valixhe autoritetet zbuluan edhe një sasi prej rreh 1.5 milionë euro që dyshohet se ishin pjesë e parave të përdorura për blerjen e droges.
Këtë aktivitet dy të arrestuarit kishin vite që e ushtronin, ndërsa të ardhurat nga tregtia e paligjshme e kokainës i kishin investuar në shoqëri ndërtimi në Shqipëri, pasuri të paluajtshme dhe llogari bankare.