Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në një prononcim për mediat, nga reparti i Shërbimit Zjarrfikës në Tiranë, ku mori pjesë në fushatën për dhurimin e gjakut, iu përgjigj interesit të gazetarëve për çështjen e Teatrit. Meta ka thënë se Kuvendi është Sovran, dhe se nuk paragjykon vendimet e parlamentit. Deklarata e Metës vjen pak ditë pasi Parlamenti vendosi si datë shqyrtimi ligjin për Teatrin 20 shtatorin. Shqyrtimi i ligjit për Teatrin u shty pas kërkesës së socialistëve. Data e parashikuar ishte 13 shtatori.
Kuvendi është sovran për të vendosur në bazë të përgjegjësive të veta. Nuk kam asnjë koment.Nuk kam asnjë arsye që të paragjykoj vendimet e Kuvendit. I uroj shumë sukses, pasi është në fillime të sesionit të tij dhe duhet një bashkëpunim sa më të përgjegjshëm, për angazhimet që ka Shqipëria për Bashkimin Evropian.
Ilir Meta, President i Republikës
Debati për Teatrin Kombëtar ka nisur që prej gati 1 viti. Opozita dhe aktorët kundërshtojnë shembjen e godinës së Teatrit, ndërsa qeveria dhe bashkia, janë pro planit për të ndërtuar një teatër të ri. Presidenti Ilir Meta, vendosi në fund të muajit korrik të kthente sërish në parlament ligjin për Teatrin, pasi sipas tij, ky ligj cënonte të drejtat e njeriut, si dhe parimet themelore të kushtetutës shqiptare. Aktorët vazhdojnë protestën prej më shumë se 70 ditësh, ndërkohë që pritet me kërshëri vendimi i mazhorancës më 20 shtator.