Në vilat qeveritare të Durrësit ditën e nesërme do të takohen udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Hahn. Takimi nis në orën 10:00, ndërsa në fokus do të ketë rritjen e zbatimit të angazhimeve të marra në Samitin e Triestes në korrik 2017.
Në këtë takim do të diskutohet gjerësisht mbi integrimin ekonomik të vendeve të rajonit dhe mbi projektin e nisur tashmë për krijimin e një zone ekonomike të rajonit. Zona Ekonomike Rajonale e vendosur në Samitin e Triestes synon të sigurojë mundësi të reja si për bizneset ashtu dhe për qytetarët, si dhe do të forcojë zhvillimin dhe vendet e punës.
Në njoftimin zyrtar Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, thotë se, ?Hapat e tjerë konkrete përfshijnë njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale, identifikimin dhe eliminimin e burokracisë dhe barrierave rregullatore që pengojnë tregtinë dhe investimet në rajon duke krijuar një dialog rajonal mbi transformimin digjital, si dhe hapja e negociatave për një mekanizëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve?. Detajet dhe projektet që do të vendosen nesër pritet të mësohet nga një konferencë për mediat.