Zbardhen të tjera detaje nga atentati me eksploziv dhe plumba në drejtim të familjes Halili të ndodhur mëngjesin e së martës në Kamëz. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se, automjeti që u përdor për të larguar atentatorët nga vendi i ngjarjes e më pas u gjet i djegur në zonën e Fushë-Krujës, rezulton i vjedhur në Vlorë.
Sipas policisë së Tiranës, fuoristrada ?Mercedes-Bezn, ML? ishte denoncuar si e grabitur në qytetin bregdetar nga pronari i saj në gusht të 2016. Hetuesit dyshojnë se automjeti i vjedhur në Vlorë, i prodhuar në 2013-n, mund të jetë përdorur edhe për disa ngjarje të rënda kriminale që kanë mbetur ende të pazbardhura në zonën e Fushë-Krujës. Kjo ka qenë një nga arsyet që atentatorët shkrumbuan mjetin luksoz bashkë me dy automatikë tip kallashnikov që ishin përdorur në biznesin e familjes Halili.
Vëllezërit Shkëlqim dhe Klevis Halili, të cilët janë edhe pronarët e kompleksit ku ndodhi shpërthimi me lëndë plasëse, nuk e kanë ndihmuar grupin hetimor, duke mos dhënë shumë hollësira për konfliktet e tyre në të kaluarën.