SELENICE - Ritvan Zykaj, 24-vjeç, rezulton se pas krimit makabër me tetë viktima ka filmuar masakrën e kryer me dorën e tij. Pasi ka shkrepur plot 18 plumba automatiku mbi trupat e 8 viktimave pjesëtarë të fisit të tij në Resulaj të Vlorës, ai ka filmuar me telefon celularë masakrën. Burime pranë grupit hetimor thanë për Report Tv se në telefonin e autorit janë gjetur video të viktimave pas ekzekutimit barbar me kallashnikov.
E teksa largohej nga Kodra e lagjes Resulaj në të cilën banonin prej 25 vitesh familja e tij së bashku me të afërmit që ai vrau, videon e masakrës me viktimat e shtrirë në oborret e banesave ja ka dërguar një të afërmi në Messenger-in e Facebook. Aktualisht grupi hetimor ka sekuestruar celularin e Ritvan Zykajt nga ku rezulton video e plotë e masakrës dhe komunikimet e fundit që ai ka bërë me të njohur dhe postimet në rrjetin social Facebook.
Zykaj sapo u arrestua mohoi të kish qenë ai personi që kish komentuar në Facebook me fjalët banale: ?Na keni carë k??, por hetimi ka zbuluar se telefoni celular është përdorur vetëm nga ai. Gjatë arrestimit 24-vjeçari nuk bëri rezistencë ndaj forcave të rendit ndërsa atij u sekuestruar arma e krimit automatik kallashnikov dhe telefoni celular.
Të hënën Zykaj do të dalë para Gjykatës së Vlorës aty ku ndaj tij prokuroria ka kërkuar arrest me burg deri në përfundim të hetimeve si dhe një ekspertiza psikofizike për të kuptuar nëse ka apo jo probleme mendore.
48 orë pas ngjarjes dhe 24 orë pas dhënies së lamtumirës së fundit viktimave, përreth tre shtëpive të viktimave pllakos heshtja dhe zia. Nga kjo ngjarje tronditëse arritën të shpëtojnë vetëm tre djem, të cilët nuk ndodheshin në shtëpi në momentin kur Ritvan Zykaj zbrazi breshërinë e kallashnikovit.