Zbardhen detaje të reja nga përplasja me armë zjarri përpara Bashkisë së Korçës, ngjarje kjo e ndodhur pasditen e djeshme vetëm pak metra larg komisariatit të policisë, ku për pasojë mbeti i plagosur Erion Hoxhallari, 38-vjeç. Ngjarja ndodhi në një zonë mjaft të frekuentuar të qytetit të Korçës duke shkaktuar frikë dhe panik te kalimtarët. Policia vuri në pranga pas ngjarjes dy persona, një prej tyre ish-punonjës i Policisë së Shtetit.
Gazmend Agolli, 49 vjeç, banues në Korçë, ish-polic, pas një konflikti ka tentuar të vrasë me armë zjarri Hoxhallarin. Krahas tij, në pranga ka rënë edhe Daniel Morava, 43 vjeç, banues në Korçë, të cilët iu sekuestrua edhe arma e zjarrit tip pistoletë, ndërsa mbi të rëndon akuza e "moskallëzimit të krimit".
Shkak për ngjarjen sipas policisë ka qenë një konflikt i mëparshëm mes Agollit dhe Hoxhallarit për shkak të një borxhi të pakthyer nga ky i fundit. Ish-efektivi ka tentuar të qëllojë me armë edhe një person tjetër, shok me Hoxhallarin, por i është bllokuar pistoleta, duke shmangur kështu fatmirësisht një ngjarje që mund të kishte pasoja tragjike.