Tre ditë para skadimit të afatit për dekretimin e ligjit për Teatrin, Presidenti Meta vendos ta kthejë atë për rishqyrtim në Kuvend. Kreu i shtetit rendit një mori shkeljesh që sipas tij kanë favorizuar një projekt të zgjedhur pa garë dhe në mungesë të transparencës.
?Kërkesa për shprehje interesi e paraqitur nga kompania propozuese, është vlerësuar apriori si propozimi më i mirë, duke bërë kështu dhe pranimin automatik të faktit të kryer se ky është propozimi më i mirë, por në rastin konkret, pa asnjë procedurë konkurrimi të hapur dhe transparente. Pra, në këtë mënyrë dhe në këto kushte, cilido autoritet që ka përcaktuar apriori se propozimi i ?Fusha sh.p.k? është alternativa më e mirë e mundshme, nuk mbështetet në asnjë vlerësim objektiv, sidomos në mungesë të një masterplani apo projekti konkret mbi zhvillimin e zonës. ?
Më tej, Presidenti thotë se ligji cënon rëndë parimet kushtetuese të autonomisë vendore, pasi parlamenti ka marrë hapur kompetencat e Këshillit Bashkiak duke kaluar me procedurë të përshpejtuar projektligjin që tjetërson truallin në pronësi të Bashkisë.
"Nuk ka asnjë shpjegim apo përpjekje për të marrë vendimin apo qëndrimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, nëse ky këshill dëshironte apo jo, që prona publike në pronësi të Bashkisë së Tiranës të përfshihej në të tilla procedura tjetërsimi".
Meta argumenton se shifra prej 30 milionë euro, e cila referohet si vlera që do të ketë Teatri i ri Kombëtar, nuk mbështetet në asnjë preventiv dhe se pretendimi se shteti nuk ka para për të ndërtuar një teatër të ri është i pambështetur dhe jo bindës.
?Asnjë dokument, që ka shoqëruar këtë nismë ligjore, nuk argumenton në mënyrë shteruese nëse janë eksploruar të gjitha mundësitë financiare të shtetit për ndërmarrjen e një iniciative tërësisht publike".
Për kreun e shtetit ligji cënon hapur edhe trashëgiminë kulturore e kombëtare.
"Nga shqyrtimi i raporteve të komisioneve parlamentare, është e dukshme se gjatë gjithë këtij procesi nuk janë evidentuar apo vlerësuar siç duhet vlerat e trashëgimisë kulturore që mbart me vete kompleksi ekzistues i Teatrit Kombëtar, vlera këto që ky objekt ka krijuar që nga ndërtimi i tij në vitet 1938 dhe më tej nëpërmjet ekzistencës dhe funksionimit ndër këto 80 vite".
Trualli publik në qendër të qytetit të Tiranës, thotë presidenti, nuk duhet të tjetërsohet, por të studiohet dhe shfrytëzohet mundësia për ndërtimin edhe të një Teatri të ri Kombëtar me fonde publike, ndërsa kompleksi aktual i godinave të Teatrit Kombëtar, duhet të mirëmbahet dhe restaurohet.
Tv Klan