Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Gjykata e Lartë ka regjistruar në shqyrtim ankimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda e cila kërkon sërish masën e sigurisë me burg ndaj ish-ministrit të Brendshëm.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, regjistrimi i rekursit është bërë më datën 18 korrik 2018, ku prokuroria kërkon "Caktimin e masës së sigurimit personal "arrest në burg" për personin nën hetim, Saimir Tahiri.
Rekursi në Gjykatën e Lartë, u paraqit nga prokuroria pasi Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, hoqi masën e arrestit në shtëpi ndaj ish-ministrit të Brendshëm që hetohet për trafik droge në bashkëpunim me grupin e vëllezërve Habilaj nga Vlora dhe për shpërdorim detyre.
Masa e arsetit me burg ishte kërkuar nga prokuroria edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë për ish-ministrin Tahiri, por togat e zeza, më 12 maj të këtij viti, refuzuan burgosjen e ish-ministrit duke e lënë atë në arrest shtëpie.
Ish-zyrtari qëndroi në këtë masë vetëm për dy javë, pasi Gjykata e Apelit e shfuqizoi atë duke e lënë të lirë Saimir Tahirin pa masë sigurimi.
Prokuroria nuk u tërhoq duke paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë duke theksuar se ndaj ish-ministrit duhet të caktohet masa e arrestit me burg që ishte kërkuar ndaj tij që në fillim të majit.
Edhe pse ishte parashikuar që hetimet ndaj Saimir Tahirit të përfundonin në fund të korrikut, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur ti zgjasë ato në pritje të provave të reja nga jashtë vendit.
Organi i akuzës mësohet se pret përgjigje nga autoritetet italiane dhe malazeze në lidhje me disa udhëtime që ish-ministri Saimir Tahiri ka kryer në këto shtete gjatë kohës që ishte në detyrë.
Prokuroria dyshon se personat që ka takuar Tahiri në këto udhëtime kanë lidhje me aktivitetin kriminal për të cilin është hapur procedimi penal pas publikimit të përgjimeve të kryera nga prokuroria e katanias ndaj grupit kriminal italo-shqiptar të drejtuar nga Moisi Habilaj.
Për më shumë lexoni në: http://oranews.tv/article/prokuroria-kembengul-arrestimin-e-saimir-tahirit-rekurs-ne-gjykaten-e-larte