Policia e Kurbinit ka finalizuar operacionin "Skuraj" duke kapur në flagrancë dy nga tre autorët e një vjedhje me armë të një karburanti në aksin rrugor Milot - Thumanë. Të njëjtit persona rreth një vit më parë, në Skuraj të rrethit Kurbin, kanë vjedhur një tjetër pikë karburanti ku kanë marrë shumën monetare 110.000 lekë të reja. Në videot e policisë grabitësit duken me varre në dorë teksa thyejnë ambientet e brendshme të karburantit, për të gjetur paratë.
Pas një viti, policia duke kryer hetime intensive me metoda speciale ka mundur të arrestojë në flagrancë shtetasit: Flakon Tafa, 24 vjeç, banues në Kurbin ( i dënuar më parë) dhe Fatjon Tafa , 27 vjeç, banues në Kurbin ( i dënuar më parë). Ndërsa në kërkim është shpallur F.K.30 vjeç, gjithashtu banues në Kurbin.
Për të tre shtetasit e lartpërmendur, më datë 12.07.2018 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin ka caktuar masën e sigurisë " Arrest me burg" për veprat penale " Vjedhje me armë' e kryer në bashkëpunim?. Policia ka publikuar ditën e sotme pamjet e arrestimit të autorëve të cilët kanë qenë duke lëvizur me një automjet tip "Ford" kur efektivët iu kanë prerë rrugën me dy automjete dhe i kanë shtrirë në tokë.