Report TV ka siguruar një video ekskluzive të një kamioni, i cili përfundon në oborrin e një banese në fshatin Papër të Elbasanit. Siç dallohet edhe nga pamjet, ky trajler futet me shpejtësi të madhe në kthesë dhe më pas humbet kontrollin, duke dalë në krahun tjetër të rrugës dhe ka marrë para kasollen e kësaj shtëpie, por ka dëmtuar edhe murin e banesës.
Bëhet fjalë për shoferin 53 vjeçar me incilet B.S., të cilit pak momente para aksidentit në aksin Elbasan-Peqin policia i ka bërë shenjë për të ndaluar. Por shoferi nuk i është bindur urdhrit dhe ka vijuar me shpejtësi rrugën.
Policia Rrugore më pas i ka bërë testin e alkoolit, ku ka rezultuar se shoferi ka qenë në gjendje të dehur. Madje uniformat blu kanë zbuluar se drejtuesi i trajlerit nuk kishte dëshminë përkatëse për të drejtuar këtë automjet.
Në momentin që trajleri del jashtë kontrollit, dallohet se rruga Elbasan-Peqin, pikërisht pranë kësaj banese, nuk ka bordurë mbrojtëse, siç dallohet edhe nga video. Ky trajler kur ka goditur kasollen pranë banesës ka shtypur një lopë dhe disa shpendë. Aksidenti ka ndodhur më 27 qershor në orën 20:32 minuta në aksin Elbasan-Peqin.
53-vjeçari nga Durrësi akuzohet për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe pa dëshmi, si dhe për mosbindje të urdhrit ndaj punonjësit të policisë, vepra penale që parashikojnë dënim deri në 5 vite burg.