Prokuroria e Tiranës kërkoi 26 vite e 2 muaj burg për 4 të akuzuarit për atentatin ndaj aktorit Mishel Prela Manoku, Korrikun e vitit të kaluar. Mbi 31-vjeçarin, prokurori tha se atentatori Shkëlzen Buci qëlloi 7 plumba të cilët nuk arritën t?i merrnin jetën, por e lanë te paralizuar.
12 vite heqje lirie u kërkuan për Bucin nga akuza. Për porositësin e krimit, Ervin Zallumi u kërkua e njëjta masë dënimi. Ai do të paguante 80 mijë Euro për vrasjen e aktorit, i cili e kishte plagosur disa vite më parë.
Për dëshmitarin e drejtësisë në këtë proces, Miklar Tolën, prokurori Adriatik Cama kërkoi 1 vit e 4 muaj burg dhe 8 muaj per Emri Tolën. Për të gjithë të pandehurit u aplikua gjykimi i shkurtuar, nga i cili përfitojnë uljen e denimit me një të tretën. Për nënën e viktimës këto dënime të kërkuara nga prokuroria janë të pamjaftueshme.
Avokati i familjes Manoku tha se do të bëjë ankesë për mënyrën si u pranua dëshmitari i drejtësisë. Vendimi për këtë dosje pritet të lexohet në datën 20 Korrik nga Gjykata e Tiranës.