Bojkoti i opozitës shtyn votimin e ligjit për magjistratë, Balla: Po negociojmë me LSI për votat

Report TV 2018-07-09

Views 0

Kuvendi i Shqipërisë ka shtyrë projektligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Shtyrja erdhi me kërkesë të PS, pasi opozita bojkotoi seancën dhe shumica nuk i ka votat e mjaftueshme, 84 për ta kaluar. Diskutimi i projektligjit ishte parashikuar për seancën e sotme, por opozita e bojkotoi me arsyetimin se u manipulua votimi për ligjin e teatrit kombëtar ditën e enjte.Të pranishëm në Kuvend nga opozita në seancën e sotme ishin vetëm dy kryetarët e grupeve të PD dhe LSI, Spaho dhe Vasili.

Ata u shprehën se mungesa e opozitës është në shenjë proteste për atë që e cilësojnë si falsifikim të votimit duke kërkuar kështu anulimin e procesit. Por duket se pas bojkotit të opozitës fshihej frika për rrjedhje votash nga deputetët. Taulant Balla reagoi duke u shprehur se qëllimi i vërtetë i bojkotit është ligji për magjistratët, pasi përsa i përket pretendimeve për manipulim të proccesit të votimit për ligjin për teatrin, sipas tij ishte opozita që e organizoi ndërrimin e kartave të Bitrit me të Tavos.

Megjithatë në përfundim të seancës, Balla pranoi se shumica nuk i ka 84 votat për të kaluar ligjin për magjistratët, por u shpreh se ka një komunikim zyrtar me LSI, ndërsa i kërkoi edhe publikisht që të votonte ligjin, pasi është i njëjtë me një vit më parë kur e votoi, asokohe në koalicion me PS.

Share This Video


Download

  
Report form