TIRANE-Në seancën e sotme plenare po diskutohet një projektligj mjaft i rëndësishëm. Bëhet fjalë për projektligjin për disa ndryshime në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, për t?i krijuar Shkollës së Magjistraturës një mundësi ligjore për të hapur dyert për kandidatët e rinj që do të zëvendësojnë prokurorët dhe gjyqtarët e ?djegur? nga Vetingu. Projektligji kërkon 84 vota, ndërsa do të mundësojë zëvendësimin në një kohë të shpejtë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut, me qëllim për të evituar rrëshqitjen e drejtësisë drejt kolapsit të plotë. Por duket se frika nga rrjedhja e votave ka bërë që opozita të vendosë që të bojkotojë seancën e sotme plenare në Kuvend. Në fillim të seancës ishin të pranishëm nga opozita vetëm dy kryetarët e grupeve, Spaho dhe Vasili.
Ata u shprehën se opozita do të bojkotojë seancën, pasi ditën e enjte në Kuvend u miratua ligji për Teatrin Kombëtar me shkelje, pasi deputeti i LSI, Tavo nuk ishte i pranishëm, por rezultoi se kishte votuar. Ruçi u shpreh se sot ishte njohur me kërkesën e opozitës që dërgoi të premten, pasi të shtunë dhe të diel administrata është pushim. Kryetari i Kuvendit deklaroi se do të ketë një investigim për rastin dhe më pas do të dilet me një qëndrim. Por kryetari i grupit të PS, Balla u shpreh se arsyeja e vërtetë e bojkotit të opozitës është projektligji për gjyqtarët dhe prokurorët. Përsa i përket votimit për ligjin e teatrit, Balla tha se deputetit Bitri në vendin që voton i është vënë kartë e një deputeti tjetër. Shumica ka 79 vota, pra i duhen edhe 5 për të kaluar ligjin për prokurorët dhe gjyqtarët. Me shumë mundësi ligji do të dështojë, gjithmonë nëse nuk do të ketë deputetë që do të thyejnë urdhrin e grupeve parlamentare për të marrë pjesë në seancë dhe votuar ligjin.