Në ditën përmbyllëse të fushatës 1 mujore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ?Mjaftojnë 10 minuta për të shpëtuar 3 jetë?, artistë të njohur të skenës dhe ekranit dhuruan gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë.
Kemi një lajm të mirë në këtë ditë përmbyllëse të fushatës, kemi kapërcyer një periudhë shumë të vështirë për mbulimin e nevojave me gjak sidomos për fëmijët talasemikë dhe besojmë se kjo verë, me të gjitha gjasat, nuk do të ketë vështirësi për sigurimin e gjakut për fëmijët talasemikë, për të bërë një jetë sa më normale. Dhe kjo falë dhuruesve të shumtë që na u bashkuan në këtë iniciativë, duke bërë që të kemi gjatë këtij muaji, të kemi tre herë më shumë dhurues krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu
Mbi 1500 dhurues vullnetarë nga e gjithë Shqipëria, nga institucione publike e private, njerëz të zakonshëm, dhurues periodikë por edhe shumë dhurues për herë të parë, personeli shëndetësor, ambasadorë, politikanë dhe sidomos të rinjtë, ju përgjigjen nismës së ministres Manastirliu, duke dhuruar gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë. Shqipëria ka 10.7 dhurime për 1000 banorë ndërsa nevojat janë dy herë më të mëdha.