Praktika e ndjekur me qeveritë e Kosoves dhe Maqedonise, është jetësuar edhe me fqinjët tanë veri-perëndimor. Dy kabinetet qeveritare të Shqipërisë dhe Malit të Zi janë mbledhur në Shkodër në të parën mbledhje të përbashkët. Takimi është finalizuar me nënshkrimin e 6 marrëveshjeve, përfshirë atë të hapjes së pikes kufitare Zogaj Skje.
Edi Rama: "Vendosëm për hapjen e kësaj pike dhe shumë shpejt do të hapim një tjetër".
Intesifikim të lëvizjeve në keto pika dhe jo ngritja e gardheve për të ndaluar kalimin e emigrantëve ilegalë pavarësisht fluksit që ka ardhur dhe mund të vijë në rritje në hapësirat e të dy shteteve, ishte mesazhi që dhanë të dy Kryeministrat Edi Rama dhe Dushko Markoviç në konferencën e përbashkët për shtyp.
Kryeministrat nënvizuan disa herë se mes dy vendeve si rrallë në Ballkan mes fqinjëve, nuk ka asnjë çështje që kërkon zgjidhje. Si urë që lidhë dy vendet ata vleresojnë komunitetet në të dy anët e kufirit.
E vetmja pikë ku kërkohet më shumë punë, është rritja e shkëmbimeve tregtare, çka u diskutua dhe në një forum biznesi me përfaqësues nga të dy vendet.
Modelin e suksesshëm me turizmin por dhe eksperiencën me procesin e çeljes së negociatave që ka Mali i Zi, Rama thotë se duhet ta ndjekim. Ndërsa Markoviç mendon se Shqipërisë duhet t'i ishin hapur negociatat që këtë vit.
"Përvoja jonë me negociatat, është në dispozicion. Nuk jemi të kënaqur t'i hapë negociatat në 2019, donim të hapeshin këtë vit".
Miqve malazezë kabineti qeveritar do jua kthejë viziten, vitin e ardhshëm në Podgoricë ku është caktuar mbajtja e mbledhjes së radhës.