Nuk jemi në mes të vjeshtës, edhe pse asgjë nuk duket ndryshe. Ndryshimet klimatike kanë bërë që Qershori të karakterizohet si një muaj me mot tropikal, ku mëngjesi nis me diell, e mesdita pasohet nga stuhi ere, shiu dhe breshëri.
Kryeqyteti është përfshirë në mesdite nga një mini-stuhi tropikale, me erë, shi e breshër. Sipas sinoptikanëve, brenda 60 minutave janë regjistruar 62.6 mm shi, sasi e cila është sa norma e reshjeve mujore për Tiranën. Ky intensitet ka krijuar probleme në sheshin "Skënderbej" dhe disa rrugë të Tiranës.
Era e fortë ka rrëzuar disa pemë.
Punonjësit e Bashkisë dhe Ndërmarrjes së Ujësjellësit kanë dalë menjëherë në terren për të normalizuar situatën.
Për këtë situatë të pazakontë reagoi edhe Kryebashkiaku Veliaj, i cili apeloi që të mos lëvizej deri në stabilizimin e situatës, ndërsa shtoi se të gjitha pemët e dëmtuara do të rimbillen.
E pazakontë konsiderohet nga sinoptikanët, edhe ulja e temperaturave me 10 gradë brenda 1 ore. Ata parashikojnë që moti do të vijë duke u ftohur, duke i bërë ditët e fundjavës të ngjashme me ato të vjeshtës.
Temperaturat minimale pritet të zbresin deri në 8 gradë.
Deri në fund të muajit, moti mbetet kryesisht i vranët dhe i freskët, larg kushteve normale të verës mesdhetare dhe shumë pranë vjeshtës.
Tv Klan