Deputetët e PD, Flamur Noka dhe Ervin Salianji kanë tentuar të nxjerrin me dhunë nga mbledhja e komisonit të Medias, kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili kishte shkuar për të raportuar për Teatrin Kombëtar. Albana Vokshi tha se Veliaj ishte i paftuar në komision, ndërsa sot, sipas saj, duhej të raportonte ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e cila ishte gjithashtu e pranishme në mbledhje.
Kryetarja e Komisionit të Medias, Albana Vokshi debatoi ashpër me kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj që në nisje të mbledhjes. Vokshi ka kërkuar që në dëgjesën e sotme para Komisionit të ishte prezente ministrja Mirela Kumbaro, për të dhënë shpjegime lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar.
Bashkë me të ka qenë edhe Veliaj. Pas kësaj, Vokshi ka thënë se Rama i dërgon të dy bashkë Kumbaron dhe Veliajn për të manipuluar. Në këtë çast komisioni është përfshirë nga replikat, ku në debat ka ndërhyrë deputetja socialiste Milva Ikonomi. Seanca është ndërprerë për pak minuta, dhe ka rifilluar më pas, por krahas debateve nuk munguan as incidentet. Deputetët e PD, Flamur Noka dhe Ervin Salianji tentuan të nxjerrin me dhunë kryebashkiakun Veliaj. Pas disa minutash tensioni, kryebashkiaku Veliaj u largua vetë nga mbledhja duke përcjellë një mesazh për demokratët se Teatri i ri do ndërtohet.