sh-kryeprokurori Adriatik Llalla, me vendimin e djeshëm të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, arriti t?i shpëtojë procesit të Vetingut, kolona kryesore e të cilit është verifikimi i ligjshmërisë së pasurisë.
Shqiptarja.com zbardh pasurinë e ish-kryeprokurorit nga viti 2003 deri në vitin 2017, pasuri e cila nuk do të verifikohet nga njerëzit e Vetingut dhe hetuesit ndërkombëtarë, por nuk përjashtohet mundësia që të bëhet objekt i ligjit anti-mafia, gjithnjë nëse organet ligjzbatuese do të konstatojnë elemente paligjshmërie.Nga verifikimi i të gjitha deklaratave, Adriatik Llalla rezulton se ka hyrë në sistemin e drejtësisë me 1/3 pjesë të një shtëpie dhe 1/3 pjesë e një trualli. Në vijim, Llalla ka marrë para borxh tek vjehrri dhe kunati i tij në shumat nga 500 000 deri në 1 500 000 lekë.
Ndërkaq, Adriatik Llalla doli nga sistemi i drejtësisë, duke poseduar prona në vlerë prej disa qindra mijëra euro në Tiranë dhe dy shtëpi. Ndryshimet më të rëndësishme në pasurinë e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla kanë ndodhur gjatë viteve 2016 dhe 2017.
Gjatë vitit 2016, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla deklaron se ka shitur një ullishte me sipërfaqe 3 000 m2 për 233 944 euro. Këtë sipërfaqe toke Llalla e ka blerë në vitin 2007, me vlerë 1 500 000 lekë. Ish-kryeprokurori deklaron se këto para i marrë borxh tek një i afërm. Po gjatë vitit 2016, kur Llalla shiti tokën për 233 mijë euro, ka blerë tokë arë me sipërfaqe 4500 m2 në Tiranë, për vetëm 4 500 000 lekë. Gjatë vitit 2017, Llalla deklaron se ka blerë 12 000 m2 tokë arë për 1 125 000 lekë. Sipas përllogaritjeve, Llalla ka blerë një metër katrorë tokë me 92 lekë.
Po gjatë këtij viti, ish-kryeprokurori thotë se ka blerë tokë arë me sipërfaqe 12 000 m2, me çmim 7 380 000 lekë, pra me 615 lekë metrin katror. Gjithashtu, ish-kryeprokurori deklaron se ka blerë edhe një tjetër tokë arë me sipërfaqe 3 000 m2, me vlerë 1 800 000 lekë. Në këtë rast Llalla e ka marrë me 600 lekë metrin katror. Tokat shtrihen përballë qendrës tregtare TEG, në Mjull Bathore dhe pranë një resorti të njohur në fshatin Qeha Shytaj. Në këtë zonë një metër katrorë tokë varion nga 50 deri në 150 euro, por Llalla e ka blerë një metër katrorë me 92 lekë deri në 600 lekë.