Është sulmuar me granatë banesa e një ish-polici në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, ku është sulmuar banesa e ish-policit Shyqyri Çela.
Report Tv mëson se ish-polici Çela ka dalë në pension, ndërsa nuk dihen ende motivet e këtij sulmi, që është shënuar rreth orës 03:00 pas mesnatës, në lagjen "Partizani". Shyqyri Çela ka shërbyer si efektiv në Policinë e Shkodrës deri para 4-5 viteve, kur ka dalë në pension.
Në vitet 1992-1994, ai ka qenë shef i Policisë Shkodër, ndërsa ishte kthyer nga SHBA vetëm pak ditë më parë. Në momentin e sulmit, Çela ka qenë i vetëm në banesë. Ndërkohë, policia ka shkuar në vendngjarje dhe pritet të zbardhë rrethanat e sulmit, nga i cili janë regjistruar vetëm dëme materiale.