Një lokal veror me konstrukt druri është djegur gjatë natës në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin. Mësohet se lokali i shkrumbuar plotësisht nga flakët është në pronësi të Pjetër Prelës.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas gazetarit të Report Tv në Lezhë, Elvis Hila nga deklarimet e rojës dyshohet se zjarri të ketë qenë aksidental, pas një defekti që ka pësuar ekspresi.
Gazetarët nuk janë lejuar nga policia që të afrohen në vendin e ngjarjes, ndërsa lokali i djegur ndodhet pas objektit që është me rreth të kuq te zona e Ranës së Hedhun.
Pronari i lokalit, Pjetër Prela rezulton se është personi që denoncoi skandalin e tjetërsimit të pronave që solli edhe arrestimin e kryebashkiakut Frrokaj dhe disa zyrtarëve të tjerë të institucioneve lokale. Frrokaj më pas u lirua nga gjykata e Apelit, ndërsa hetimet vijojnë në gjendje të lirë për Frrokajn.