Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Për deputetin socialist Adnor Shameti, i cili është edhe profesionist i së drejtës, vendimin për lirimin e Saimir Tahirit e konsideron si normal. I ftuar në studion e lajmeve të Ora News, ai shpjegon procedurën që sipas tij Gjykata e Apelit korrigjoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.
Adnor Shameti: Unë flas në emër të PS, si deputet i kësaj mazhorancë dhe nuk kam tagër të flas si përfaqësues i ambasadës. Për mua si profesionist dhe si praktikues i së drejtës për më shumë se 20 vite nuk më bën asnjë çudi, ndryshimi i masës së sigurisë për zotin Tahiri. Nuk e shikoj si ish-ministrin e Brendshëm, e shikoj si qytetar të Republikës së Shqipërisë. Në kodin e procedurës penale janë të përcaktuar kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit. Si profesionist i së drejtës nuk më bën asnjë çudi ndryshimi i masës pasi i tillë duhet të kishte qenë edhe vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, që nuk duhet të kishte caktuar masë të ndryshme sigurimi për zotin Tahiri. Pse e them këtë?! Këtë e them në bindjen time të plotë juridike pasi që nga momenti kur gjykata kishte caktuar një masë sigurimi për Tahirin dhe deri në momentin e dytë kur ai dha dorëheqjen nga mandati i deputetit dhe nuk kishte më asnjë pengesë ligjore qoftë për të caktuar ndaj tij masa e sigurisë arrest me burg, nuk ka pasur asnjë ndryshim në kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit. Në këto kushte ishte gjëja më normale që Gjykata e Apelit të korrigjonte atë vendim që u dha nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Në lidhje me reformën në drejtësi, Shameti tha se brenda dy muajsh do të jetë kompletuar e gjithë trupa e KLP dhe KLGJ, duke i hapur kështu rrugë implementimit të paketës të reformës në drejtësi dhe organave të sistemit të drejtësisë.
Për më shumë lexoni në: http://oranews.tv/article/lirimi-i-tahirit-deputeti-i-ps-ishte-normale-gjykata-e-apelit-korrigjoi-vendimin