http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://instagram.com/vizionplustelevizion
https://twitter.com/VizionPlusTV
Deputetë të Parlamentit Gjerman, përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit, drejtues të OSBE do të zbarkojnë këtë javë në Tiranë.
Për shkak të vendimit për hapjen ose jo të negociatave për anëtarësim dhe peshës specifike të Gjermanisë në BE, ndoshta vizita më e rëndësishme është ajo e deputetit të Bundestagut Florian Hahn i cili është edhe zëdhënës për Europën në grupin parlamentar të CSU.
Hahn ka mbërritur tashmë në Tiranë dhe të enjten do të zhvillojë takime me kryeministrin Edi Rama, ministrin e jashtëm Bushati, liderin e opozitës Basha e kryetaren e LSI Kryemadhi. Gjatë qëndrimit në Tiranë deputeti gjerman do të zhvilloje një takim edhe me Majlinda Bregun e cila pak javë më parë u zgjodh Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.
Vizita e Florian HAHN në Tiranë ishte planifikuar në fillim të këtij muaji pikërisht ditën kur Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit, por deputeti gjerman i shtyu takimet për shkak të anulimit të fluturimit.
Të shtunën kur opozita do të zhvillojë protestën për largimin e ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj në Tiranë mbërrin zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Pete Marocco. Ai do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare, ku do të marrin pjesë përfaqësues të lartë nga vende të Europës Juglindore dhe të rajonit për problematikën e sigurisë rajonale dhe ekstremizmit të dhunshëm. Konferenca organizohet nga një grup deputetësh të parlamentit shqiptar të majtë e të djathtë ku do të marrin pjesë edhe përfaqësues të qeverisë.
Po të shtunën për një vizitë dy ditore në Tiranë vjen edhe një delegacion i Asamblesë Parlamentare të OSBE i cili do të zhvilloje takime me drejtuesit e institucioneve shqiptare dhe liderin e opozitës Lulzim Basha e kryetaren e LSI Kryemadhi.
Ndërsa në datën 29 maj në Shqipëri do të vijë Sekretari i Përgjithshëm i OSBE Thomas Greminger.
Sekretari i Përgjithshëm do të takohet me krerët më të lartë të shtetit dhe opozitën për të ritheksuar mesazhet e bashkëpunimit mes OSBE-së dhe institucioneve shqiptare.