Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar në gjykatë dosjen penale të vrasjes së komisarit të policisë Artan Cuku, të cilit iu bë atentat më 8 prill 2017 brenda pallatit ku banonte në Tiranë.
Mikel Shallari i dyshuar si ekzekutor i krimit, akuzohet se ka kryer veprat penale "vrasje e punonjësit të policisë së shtetit", kryer në bashkëpunim, dhe "mbajtje pa leje të armëve luftarake".
Këto dy vepra penale sipas prokurorisë, Shallari i ka kryer në bashkëpunim me porositësin e vrasjes shtetasin Bledar Jambelli dhe ndërmjetësin Kristaq Leci, të cilët janë shpallur në kërkim dhe po hetohen në një dosje të veçuar tek krimet e rënda.
Bashkë me dosjen penale ku ka renditur provat e akuzës, prokuroria ka dorëzuar në gjykatë edhe aktin e marrëveshjes me të pandehurin Mikel Shallari, i cili ka pranuar autorësinë e krimit dhe ka bashkëpunuar me hetuesit duke treguar ndërmjetësin dhe porositësin.
24-vjeçari nga Kuçova, mund ta marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë duke përfituar edhe ulje dënimi vetëm nëse gjykata i konsideron të vlefshme procedurat e ndjekura nga prokuroria dhe deklarimet e dhëna nga i arrestuari.
Pasi ra në pranga i identifikuar nga kamerat e sigurisë dhe rrobat e përdorura në atentat të cilat i hodhi në një kosh mbeturinash në zonën e Tiranës së re, Mikel Shallari pranoi autorësinë e krimit duke dhënë shpjegime në lidhje me motivin e vrasjes së komisarit të policisë.
Komisari Artan Cuku, ish drejtues policie, sipas prokurorisë, u vra për shkak të detyrës së tij në Policinë e Vlorës. Në vitin 2012, ai ka drejtuar një operacion ku ka arrestuar Bledar Jambellin, si person të dyshuar për një vrasje të ndodhur në qytetin e Vlorës. Në vitin 2014 Bledar Jambelli rifitoi lirinë nga gjykata e Apelit të Vlorës me argumentin se ekspertiza e gjurmëve të gishtave në makinën e përdorur gjatë vrasjes në Vlorë ishte e paregullt.
Për më shumë lexoni në:
http://oranews.tv/article/ne-gjyq-vrasesi-i-artan-cukut-bashkepunon-me-prokurorin