Vdekja e një gruaja 50-vjeçare të mërkurën në Bulqizë, duket se nuk i ka stepur aspak banorët e kësaj zone që të ndërpresin aktivitetin e mbledhjes së kromit. Për shumë prej tyre, stogjet e kromit janë i vetmi burim të ardhurash për të siguruar bukën e përditshme. Këta dy të moshuar, thonë se kjo është e vetmja mënyrë për të përballuar jetesën.
Edhe pse ata e dinë që janë të rrezikuar qoftë nga shembja e gurëve apo rreziqe të tjera, ata çdo ditë në mëngjes i drejtohen këtyre stogjeve, për të mbledhur krom. Më shumë sesa frika për rrezikun që u kanoset, ata shqetësohen për paratë që duhet të sigurojnë për familjet e tyre.