Një laborator i madh droge, me sipërfaqe 300 metra katror, është zbuluar nga Policia e Fierit, ndërsa është sekuestruar një gomone, që dyshohet se përdorej për transport lëndësh narkotike. Laboratori ishte ndërtuar në fshatin Mbrostar, në tokat në pronësi të shtetasit Vladimir Çilotaj (Shpërdheja), 50 vjeç, banues në Patos.
Vendi ku do kultivoheshin dhe përpunoheshin bimët narkotike kishte një sipërfaqe prej rreth 300 metra katror dhe ndodhej brenda magazinës 400 metra katrorëshe. Nga ana tjetër, gjatë kontrolleve policore u gjet dhe gomonia 12 metra i gjatë me 2 motorrë nga 250 KF, në afërsi të fshatit Seman.Njoftimi i policisë:
Policia e Fierit zbulon një laborator në ndërtim e sipër, i cili dyshohet se do të përdorej për kultivim të bimëve narkotike. Sekuestrohet një mjet lundrues me gjatësi rreth 12 metra, i dyshuar për transport lëndësh narkotike.
Në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit me qëllim goditjen e fenomentit të kultivimit të bimëve narkotike si edhe në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative, në fshatin Mbrostar, Fier, në tokat në pronësi të shtetasit Vladimir Çilotaj (Shpërdheja), 50 vjeç, banues në Patos, u konstatua një laborator i dyshuar për kultivim të bimëve narkotike.