Drejtuesit e kompanive të linjave të transportit ndërqytetës, kanë paralajmëruar nisjen e protestave, pasi sipas tyre konkurenca e paligjshme po i çon ata drejt falimentimit.
Paralajmërimi është bërë këtë të premte nga përfaqësues të shoqatës së Transportit Ndërqytetës, të cilët i kërkojnë institucioneve shtetërore që të ndërhyjnë, për të hequr nga qarkullimi automjetet e paliçencuara si furgonë apo taksi 4 + 1.
Ilir Lulaj: Problemi kryesor që hasim ne sot si shoqëri transporti, është transporti i paligjshëm që po lulëzon ditë pas dite dhe nuk na lënë ne që të vazhdojmë aktivitetin tonë të ligjshëm. Bëhet fjalë për taksi apo furgonë gaz e benzinë. Bëjmë ankesa dhe na thonë se nuk kemi çfarë t?iu bëjmë. Ata merren me ne që jemi të ligjshëm. Kërkojmë nga institucionet që të zbatohet ligji.
Veli Bezati: Ne jemi në prag falimentimi nëse vazhdohet kështu. Transport i paligjshëm, linja të dubluara, shumë probleme, por ne do të përshkallëzojmë lëvizjet tona, do dalim në greva dhe protesta, nuk ka rrugë tjetër.
Nga ana tjetër, ata kërkojnë edhe ndërtimin e terminaleve, pasi në shumë qytete të vendit ato mungojnë.
Ilir Lulaj: Problemi kryesor që hasim, është mungesa e terminaleve. Edhe këtu në Tiranë n?a është premtuar, por nuk u ndërtua. Vetëm bashkia Fier e ka ndërtuar terminalin për autobuzët.
Sipas shoqatës së Transportit Ndërqytetas, nga 80 liçenca që u shfuqizuan, 43 prej tyre u rikthyen përsëri në treg, duke bërë që linjat të shtohen.