"Një akt dinjitoz. Në kujtesën time i pari i këtij lloji në historinë e tij. I respektueshëm".
Megjithëse e vlerëson vendimin e Tahirit, Kryeministri Edi Rama nuk komenton akuzat që ish-ministri bëri në deklaratën e dorëheqjes.
"Nuk gjykoj asgjë nga ato që thuhen. Ky është një rast që është përcaktuar qartë që këtu e 6 muaj më parë se është një çështje mes tij dhe prokurorisë".
Në një intervistë për emisionin ?Opinion? në Tv Klan, Rama thotë se nuk ka pasur dijeni më herët për vendimin e Tahirit dhe se kjo nuk ishte një kërkesë e kreut të qeverisë.
"Është humbje kohe të merremi me llafet e kazanit politik dhe mediatik. Akti flet vetë për atë që është. Nuk kam pasur dijeni dhe nuk kam pse të kisha dijeni. Prej 6 muajsh ai nuk është pjesë e grupit parlamentar të PS-së dhe nuk ka asnjë rol në Partinë Socialiste".
Rama sqaron se kjo lëvizje nuk ka asnjë lidhje me hapjen e negociatave.
"Nuk ka fare lidhje me negociatat".
Deklaratat e Tahirit nuk i komentoi as ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili u vu në shënjestër të akuzave nga pasardhësi i tij. Por tha se u qëndron komenteve te tij për policinë.
"Nuk kam asnjë koment, nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë më parë".
Ish - ministri i Brendshëm Saimir Tahiri nuk është pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste që prej 23 Tetorit të vitit 2017, pak kohë pasi parlamenti refuzoi kërkesën e Prokurorisë për të autorizuar arrestimin për ?trafik i lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal? dhe ?korrupsion i zyrtarëve të lartë?.