Në konferencën për shtyp të mbajtur tek selia e Kuvendit, Saimir Tahiri ka dorëzuar sot mandatin e deputetit, deri në zbardhjen e së vërtetës.
"Unë kam duruar 6 muaj, do të duroj edhe aq sa duhet për të dalë e vërteta ime në dritë dhe pikërisht se nuk jam si këta që kanë qeverisur për 25 vjet, kam marrë një vendim për ta treguar edhe njëherë se nuk jam raca e atyre që rrinë në parlament, për pazar apo për shpëtim. Deri kur të zbardhet e vërteta e plotë, unë nuk do të jem deputet, por qytetar i thjeshtë".
E teksa njoftoi lënien e mandatit, Tahiri theksoi se do të përballet me drejtësinë si çdo qytetar shqiptar.
"E si qytetar i thjeshtë me të drejtën time, me familjen e miqtë e mirë dhe me të gjithë ata që më besojnë ende, unë do të përballem me prokurorinë, me drejtësinë, me ligjin, siç do të përballem me palaçot në politike".
Tahiri ripërsëriti se nuk do të dorëzohet asnjë çast.
"Fuqia ime është e vërteta ime dhe unë nuk do të rresht që t'i shkoj deri në fund"./tvklan.al