Me banorët e lagjes 'Kushtrimi' dhe 'Orikumit' janë përballur këshilltarët bashkiakë të Vlorës në një mbledhje të shoqëruar me debate dhe tension. Fillimisht ishin 28 familje të cilat kërkuan të dijnë pse nuk kanë marrë ende dëmshpërblim për banesat e shembura nga ndërtimi i segmentit lidhës të autostradës me Rrugën Transballkanike.
Më pasi ishin banorë të Orikumit të cilët kanë ngritur si shqetësim mungesën e ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike, duke kërkuar shpjegime se ku shkojnë paratë e taksave që ata paguajnë.
Me pankarta në duar banorët hodhën akuza kundër Kryeministrit dhe kryebashkiakut Leli, i cili nuk ishte i pranishëm në sallë. Me protestën e banorëve u solidarizuan edhe këshilltarët e djathtë, të cilët bojkotuan mbledhjen, me pretendimin se kërkesat e banorëve nuk ishin futur në rendin e ditës.