Tirana kurorëzoi me sukses fushatën e saj të mbjelljeve me 120 mijë pemë të reja, të cilat krijuan një revolucion të gjelbër për kryeqytetin.
Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, iu bashkua aksionit për mbjelljen e 1123 pemëve të reja në Liqenin e Farkës, së bashku me anëtarë të Këshillit të Qarkut Tiranë, punonjës të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të Drejtorisë Rajonale të Punës në Tiranë, si dhe dhjetëra qytetarë e biznese të ndryshme.
Kryebashkiaku Veliaj tha se fushata e mbjelljeve jo vetëm i dha qytetit një energji pozitive, por njëkohësisht hodhi themelet e një tradite të bukur bashkëpunimi.
Jam shumë i lumtur që finalizojmë një fushatë fantastike për Tiranën, që na dha energji të gjithëve. Si një familje e madhe u ngritëm për një nevojë që kishte qyteti. Bashkia nuk ia del dot vetëm, nëse nuk punojmë të gjithë për qytetin. Kjo fushatë ka qenë një magji e bashkëpunimit. Sot kemi filluar një traditë, e cila duhet të ruhet nga të gjithë si një mënyrë për të thënë se secili ka mision për të lënë shenjë në qytetin tonë.
Kryebashkiaku, Erion Veliaj