Pika qendrore e karburantit ?Gulf? në zonën e Laprakës në kryeqytet është bllokuar nga policia. Në godinën e madhe me shumë kate nuk duket të hyjë njeri, përveç rojes i cili thotë se ka disa ditë që pika është mbyllur dhe nuk ka parë askënd nga drejtuesit.
Zyrtarisht Policia e Shtetit thotë se ka bllokuar asetet në pronësi të firmës ?Sun Petrolium Albania? e cila ka tregtuar naftë nën logon e kompanisë ?Gulf? pasi deri tani kanë ardhur dhjetëra kallëzime nga persona të mashtruar me tollona nafte, të cilët i kanë blerë ato, por tashmë kosiderohen pa vlerë.
Ndërsa përfaqësues të kompanisë janë thirrur në prokurori, ku kanë nisur hetimet për mashtrim të kompanive e qytetareve me tollonat.
Burime policore thanë për Tv Klan se prej disa javësh kompania kishte nisur tregtimin e tollonave me çmim të lirë dhe mendohet që deri tani të ketë shitur 1 milion litra, me një vlerë minimale 1 milion euro.
Burimet thane se kompania në pronësi të izarelitëve dhe e lidhur edhe me grosistë të naftës në Shqipëri është larguar papritur për shkak të pamundësive për të tregtuar naftë, pasi furnizimin e merrte gjatë kohës që ishte në punë rafineria e përpunimit të naftës në vend ARMO.
Por përpara se të largohej, ajo ka fituar para edhe nga shitja e disa pikave, te cilat sot janë në pronësi të një kompanie tjetër.
Burimet hetimore thonë për Tv Klan se firma tregtonte naftë nën emrin e një marke tjetër, pasi vetë gjigandi ?Gulf Stream? ka vite që nuk tregton naftë, por vetëm jep të drejta kundrejt pagesës për përdorimin e emrit.
Të kontaktuar nga Tv Klan, Drejtoria e Tatimeve shprehet se nuk ka bërë asnjë nisme në gjykatë për falimentin e kësaj kompanie e se deri tani ajo ka qenë e rregullt në pagesën e detyrimeve, ndërsa doganat u treguan të rezervuara për të dhënë informacion.
Deri më sot askush nga institucionet nuk ka një përgjigje për të gjithë ata qytetarë që kanë blerë tollonat e firmës, por qe kanë në dorë vetëm letra pa vlerë.