Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, zhvilloi sot një takim me përfaqësues të shoqatës së ndërtuesve, në kuadër të një procesi të gjerë konsultimi që ka filluar me bizneset e vegjël në të gjithë vendin. Kjo nismë do të vijojë me të gjithë shoqatat dhe Dhomat e Tregtisë për nismat e reja fiskale të qeverisë, në favor të lehtësimit të sipërmarrjes dhe përmirësimit të klimës së biznesit.
Faleminderit për prezencën. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka filluar një konsultim, ashtu siç dhe referohet në ligjet fiskale dhe në ligjin organik të buxhetit, një konsultim për paketën e re fiskale potenciale, pra nëse do të kemi dhe vendosëm që konsultën e parë ta bëjmë me shoqatën tuaj, edhe për shkak të një kërkesë të kahershme që ju keni pasur, që në thelb ka të bëjë me ndarjen e përgjegjësisë tatimore midis ndërtuesit/investitorit dhe pronarit të tokës. Ka qenë një diskutim e një debat i kahershëm, ju keni filluar ta ngrini si çështje dhe si shqetësim që në vitin 2008. Është një porosi e Kryeministrit që konsultimi të fillojë me shoqatat e sipërmarrjes, duke nisur që nga shoqata juaj, shoqata e biznesit të vogël, shoqatat e tjera, me dhomat e tregtisë, një konsultë që do të vazhdojë dhe përtej korrikut, në vazhdimësi, dhe besoj që në periudhën korrik-gusht do të kemi formatimin e parë të politikës fiskale. Ka disa vendimmarrje e iniciativa të Kryeministrit që kanë të bëjnë me trajtimin e biznesit të vogël që do të lançohen në javët që vijojnë, të cilat mund të prekin disa ligje, midis tyre dhe ligjin e Tatimit mbi të Ardhurat, kështu që kemi një rast të mirë, pasi të konsultohemi, pasi të sqarohemi dhe të kemi ndërtuar një racionale të përbashkët, të arrijmë në një konkluzion dhe ndoshta të përfitojmë dhe nga hapësira që do të krijohet përsa i përket këtij ligji, të bëjmë ato ndryshime që ne mendojmë se janë të duhura dhe që ju keni shumë kohë që i kërkoni. Përpara se ta mbyll fjalën time dua të theksoj që përmirësimi i klimës së biznesit është kryefjalë e qeverisë. Dhe Progres Raporti i Komisionit Europian e theksonte me forcë që ka një përmirësim të klimës së biznesit, por ka akoma shumë për të bërë. Në të njëjtën kohë, është dhe detyrimi i qeverisë që të vazhdojë konsultimin me të gjithë, me qytetarët, me sipërmarrjen e vogël, sidomos për atë që ne kemi avancuar e që ka të bëjë me uljen e pragut të TVSH-së.