Çmimet e siguracioneve të makinave pritet që të pësojnë ulje. Përmes një vendimi, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka ulur primin e riskut për të gjithë llojet e automjeteve, duke përcjellë në treg kosto më të ulët të vlerës së siguracionit.
Për makinat me kapacitet motorik mbi 1600 cm3, nga 10 mijë lekë që ishte më parë çmimi dysheme mbi të cilin kompanitë llogaritnin çmimin, tashmë vlera është bërë 9 mijë lekë. Ulje kanë pësuar edhe kategoritë e tjera, motoçikletat, autoveturat e vogla, furgonët dhe autobusët.
Rënien më të ndjeshme pritet ta pësojë tregu i kartonëve jeshilë. Një makinë me 4 vende që më parë hynte në Shqipëri, apo dilte jashtë vendit qoftë edhe për një ditë, çmimi i primit të detyrueshëm për katrontin jeshil që pritej ishte 40 euro, ndërsa tashmë me tabelën e re vlera e kartonit jeshil është 17 euro.
Primi i detyrueshëm është çmimi dysheme që vendos Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për çmimin e sigurimeve, që duhet të respektohet nga kompanitë që operojnë në këtë treg. Në momentin që firmat e ulin përtej kësaj vlere atëherë rrezikohet që në të ardhmen të mos ketë mundësi të paguajë dëmet.