Veprimet e policisë ditën e protestës në Rrugën e Kombit do të jenë objekt i një hetimi penal të nisur nga Prokuroria e Kukësit. Burime nga akuza e qytetit verior thanë për Tv Klan se kanë nisur një hetim për veprimet arbitrare të punonjësve të policisë në ditën e protestës.
Ka dyshime se disa sjellje të bluve nuk kanë qenë të mbështetura në rregulllore dhe për këtë janë duke u kqyrur një sërë provash. Në filmime amatore të shpërndara në rrjetet sociale gjatë të protestës së 31 Marsit, shihen policë të cilët qëllojnë me gure drejt qytetarëve. Ky veprim po edhe sjellje të tjera të efektivëve do të verifikohen nga grupi hetimor i Prokurorisë së Kukësit i cili është i ndryshëm nga ai që po heton protestuesit.
Nga dëshmitë e dhëna deri tani nga persona që morën pjesë në protestë e bazuar kjo edhe në pamje filmike, ka rezultuar se efektivët në shërbim kanë qëlluar mbi protestuesit me shkopinj gome dhe gurë. Nga 23 të arrestuarit e pas protestës, 11 prej tyre janë në qeli, 2 në arrest shtepie dhe 10 të tjerëve iu caktua masa e siguresë detyrim paraqitje.