Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka dhënë vendimet e fundit në lidhje me ngjarjet sportive që ndodhën në javën e fundit. Mes të tjerash, ajo që bie në sy, është dënimi i Eduart Tanushit, zyrtar i klubit të Laçit, që i ndalohet për 2 ndeshje qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe territori përreth fushës.
Një vendim disiplinor si shumë të tjera në sportin shqiptar, por skandali qëndron se pikërisht Eduart Tanushi është edhe përfaqësues i Shoqatës Rajonale të Futbollit në Lezhë, madje duke votuar në Asamblenë e fundit Zgjedhore të shkurtit. Eduart Tanushi u zgjodh në mënyrë të rrufeshme dhe të mistershme si përfaqësues për të votuar në momentet e fundit, dhe kandidati për president Bashkim Fino e lakoi këtë emër si i paligjshëm, pasi nuk kishte kuptim që një nga Laçi të votonte për shoqatën e Lezhës.
Vendimi i fundit i Disiplinës ka nxjerrë zbuluar FSHF-në në lidhje me shoqatën Rajonale të Lezhës, e cila ashtu si të gjithë të tjerat, nuk ishte e regjistruar në Gjykatë. Shoqatat Rajonale janë edhe shkaku kryesor që Gjykata e Tiranës nuk regjistroi zgjedhjet e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku organet drejtuese kanë mbetur të ngrira, pasi nuk mund të marrin vendime deri në legjimitetin e gjyqësorit.