Beteja e veshtire me autizmin. Rrefimi i nenes qe lufton per integrimin e te birit

RTV KLAN 2018-05-12

Views 41

Në ditën botërore kundër autizimit, Klan Plus sjell historinë frymëzuese të një gruaje dhe familjes së saj, e cila prej tre vjetësh lufton për të integruar djalin saj, tashmë 6-vjeçar. Ministrja e Shëndetësisë njoftoi sot projektin për rindërtimin e plotë të qendrës më të madhe të autizmit në vend, atë në Kombinat të Tiranës.
Në familjen Tanuzi, ardhja në jetë e djalit ishte një gëzim më vete. Pas 13 vitesh familja do të shtohej me një anëtar të ri pas dy motrave. I pagëzuar me emrin e gjyshit, Vath, djali si në çdo familje tradicionale shqiptare kishte një vëmendje të veçantë. Por, pasi Vathi mbushi 3 vjeç filloi edhe problematika e tij lidhur me autizmin dhe betejat e familjarëve.
"E kuptova nga një shoqe problemin e djalit, kur ishte 3 vjeç. Komunikim nuk e kishte fare, rrinte i vetmuar para televizorit, nuk fliste fare", thotë e ëma.
"Fëmijë që e kishte problem ndarjen nga nëna dhe komunikimin me të tjerët, kur e thërrisnim në emër nuk e kthente kokën, nuk reagonte", tregon edukatorja.
Pas 3 vitesh terapi intensive, ku i duhej të vinte çdo muaj nga Fushë-Kruja në qendrën e trajtimit të specializuar në Kombinat, Vathi ka arritur progres, të paktën në socializimin me bashkëmoshatarët.
"Tani është 6 vjeç ka arritur shumë progres në shumë fusha, vetëm çalon në komunikim. Pranon grupin, uljen në rreth, luan me grupin dhe lodrat", shtoi edukatorja.
I vetmi shqetësim tani është ndjekja e shkollës.
"Nuk është agresiv, thjesht ka vështirësi në komunikim, nuk ka zhvillimin si të tjerët. Do kisha dëshirë të na ndihmonte shteti aty ku jetojmë për të pjesën e parashkollorit".
Në ditën Botërore të Autizmit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu premtoi rikonstruksion të qendrës që trajton fëmijët me çrregullim të spektrit autik.
"Jam këtu për të lajmëruar rehabilitimin e plotë të Qendrës Kombëtare të Mirërritjes, e cila trajton rreth 330 fëmijë me autizëm në vit, nga të cilët 150 raste të reja të trajtuan në vitin 2017. Do të garantojmë kushte me standard të lartë për fëmijët me çrregullime të spektrit autik dhe fëmijët me aftësi ndryshe".
Ministrja Manastirliu deklaroi se shërbimet do të zgjerohen jo vetëm në këtë qendër por edhe në 6 qendrat rezidenciale dhe 3 qendrat ditore publike në Shqipëri, të cilat trajtojnë fëmijë me çrregullime të spektrit autik. Në vitin 2018 pritet të rekrutohen 7 mjekë në specializimin e fëmijëve dhe adoleshentëve.

Share This Video


Download

  
Report form