Më tre medalje ari në europian, peshëngritësi Briken Çalja është pritur në një mënyrë të veçantë nga qytetarët e Cërrikut. Bashkia kishte organizuar pritjen në qendrën e qytetit për kampionin e saj.
"Është një moment historik për mua. Realizova ëndrrën time. E gjithë kjo falë këmbënguljes dhe vullnetit si dhe stërvitjes. Sa i përket dopingut, jam i sigurt pasi kam bërë dy teste para takimit. Jam i sigurt në pastërtinë time. Federata ka qenë indiferente. Ata nuk më pritën. Të vetmit që më pritën ishin sportëdashësit. Ishin njerëzit e thjeshtë. As qeveritarët nuk u kujtuan".
Nga kryetari i Bashkisë, peshëngritësit iu akordua certifikata e mirënjohjes së qytetit. Në kampionatin europian që u mbajt në Rumani, Briken Çalja u shpall kampion absolut në garën e peshës deri 69 kg duke e mbyllur i pari si në stilin e shkëputjes dhe atë të shtytjes. 321 kg të ngritura në dygarësh duke kaluar me sukses 5 nga 6 provat.