Aktorët e Teatrit Kombëtar kundërshtojnë projektin e qeverisë për Teatrin e ri. Aktori i madh Robert Ndrenika u shpreh në bashkëbisedimin me artistët të zhvilluar në ambientet e Teatrit Kombëtar, se maketi i prezantuar një javë më parë ishte si lojë fëmijësh.
Ndrenika u shpreh gjithashtu kundër Partneritetit-Publik-Privat për ndërtimin e Teatrit të ri, pasi sipas tij kjo formulë është në interes të privatit dhe jo aktorëve. "Ai maketi mu duk si lojë kalamajsh. Partneriteti Publik-Privat është në interes të privatit, jo në interes të teatrit apo aktorëve, por për të fituar privati", u shpreh Ndrenika i cili e nisi fjalën me një ironi duke iu referuar takimit të javës së kaluar me kryeministrin Rama: "Punojnë mikrofonat? Se atje te kryeministri mi hoqën", tha Ndrenika.
Ndërkohë, Arben Derhemi tha se një projekt i realizuar nga regjisori dhe karikaturisti Bujar Kapexhiu është më ambicioz dhe i pranueshëm nga artistët. "U prezantua projekti nga danezi, ne sjellim projektin e shqiptarit (Kapexhiut)", tha aktori Arben Derhemi.
Vetë Kapexhiu u shpreh për Report TV se projekti i ideuar prej tij ka parullën "ndërto një, ruaj dy". Megjithatë ai thekson se ky projekt nuk është përfundimtar edhe nga ana arkitekturore por një ide që tregon se nuk është shumë e vështirë për të krijuar një projekt. Ai shton se është nevoja për një konkurs kombëtar projektesh.