Stuhia shenon nje viktime, kaos ne disa zona

RTV KLAN 2018-05-12

Views 0

Stuhitë kanë shënuar një viktimë. Një 67-vjeçar në Vlorë është goditur nga një vetratë xhami, e cila u rrëzua nga era. I moshuari Ramadan Kaçi ndërroi jetë rrugës për në spital.

Në bregdetin e Vlorës është pezulluar lundrimi. Një traget qëndron në radë që prej ditës së premte. Ankorimi nuk është bërë i mundur për shkak të erës së fortë dhe detit me dallgë nga 7 deri në 8 ballë.

Kapiteneria e portit të Vlorës ka urdhëruar të gjitha mjetet e tjera lundruese dhe ato të peshkimit të mos dalin në det për shkak të kushteve të këqija atmosferike.

Probleme ka patur dhe në qytet, me rrëzimin e palmave dhe dëmtimin e një automjeti.

Në Shkodër vazhdon të ketë ende zona nën pushtetin e ujit. 130 banesa janë të izoluara, ndërsa 2400 ha tokë bujqësore është e përmbytur. Në fshatin Obot, kalimi është bërë i mundur vetëm me varka.

Deti ka marrë sipërfaqe të tjera në zonën e Kunës në Shëngjin. Dallgët kanë arritur deri në afërsi të rrugës që lidh Kunen me Shëngjinin, ndërsa dhjetëra pisha janë rrëzuar si pasojë e baticës. Vetëm në dy javët e fundit, 2 metra të tjera nga zona e rërës janë përfshirë nga deti.

Moti i Marsit vazhdon të surprizojë. Përveç shiut, i cili ka qenë prezent çdo ditë të këtij muaji, fundjava ka rezervuar temperatura rekord deri në 25 gradë Celcius, por të shoqëruar me erë të fortë.

Sinoptikanët parashikojnë që reshjet të vazhdojnë. Ulja e theksuar e temperaturave përgjatë 21 dhe 25 Marsit, pritet të rikthejë reshjet e dëborës në të gjithë zonat malore.

Tv Klan

Share This Video


Download

  
Report form