REPORT TV siguron pamjet ekskluzive të autobusit me 15 nxënës që u përmbys në Skrapar mëngjesin e sotëm rreth orës 07:30 minuta. Autobusi që po transportonte nxënësit e shkollës 9-vjeçare dhe të mesme nga fshatrat Buzuq dhe Orizaj për në shkollën e Çorovodës është aksidentuar në fshatin Vërzhezhë duke rënë nga rreth 20 metra në greminë, por fatmirësisht të gjithë nxënësit dhe shoferi kanë shpëtuar.
Nga të dhënat e para sipas gazetarit të Report Tv në Berat, autobusi ka qenë me shpejtësi dhe në momentin që shoferi ka tentuar të frenojë në një kthesë të fortë në një terren shumë të vështirë ka përfunduar në greminë. Autobusi pas disa rrotullimeve ka përfunduar në humnerë, por pavarësisht se aksidenti ishte i rëndë, shoferi nuk ka pësuar dëmtime, madje ka qenë ai që ka lajmëruar policinë, ambulancën dhe zjarrfikësen, që u kanë ardhur në ndihmë nxënësve duke i dërguar në spital, ndërsa policia ende nuk ka mbërritur në vendin e ngjarjes.