Sulmet ndaj kryetarit të partisë dëmtojnë Partinë Demokratike. Kështu tha Lulzim Basha duke iu referuar akuzave të Astrit Patozit dhe kritikëve të tjerë të Partisë Demokratike.
Basha deklaroi në emisionin "Opinion" se në mbledhjen e sotme të Kryesisë së PD, u mor vendimi për krijimin e një grupi për ndryshimet në statutin e partisë, ku u propozua edhe Arben Imami, i cili refuzoi.
"Sulmet ndaj kryetarit nuk janë ide politike dhe dëmtojnë Partinë Demokratike. Unë po bëj çdo përpjekje që çdokush të gjejë veten e tij në procesin ku PD ka hyrë. Sot mbledhja e Kryesisë ka caktuar Kuvendin Kombëtar ku do të diskutohet statuti i ri Partisë Demokratike. Partia t'i kthehet plotësisht anëtarëve. Ka ardhur koha që ne të aplikojmë standardin europian.
Ftesa ime ka qenë dhe mbetet që të vijnë dhe të negociojnë. Garancia që unë dua të shoh në statut është që vlerësimi për meritën e atyre që do kërkojnë besimi për t'u bërë deputet, të vijë nga anëtarët përmes një sistemi", deklaroi kryetari i PD Lulzim Basha.