Autorizimi për detin, Rama 60 minuta në zyrën e Metës

RTV KLAN 2018-05-12

Views 1

Kur pritet vendimi i Presidentit të Republikës lidhur me autorizimin e kërkuar nga qeveria për të negociuar me palën greke për marrëveshjen e detit, vetë Kryeministri Edi Rama i është drejtuar zyrës së Presidentit pikërisht për të diskutuar për hapin që do të ndërmarrë kreu i shtetit.
Nga të dy institucionet nuk është dhënë asnjë informacion zytar, një vendim i dakortësuar me shumë gjasë mes vetë Presidentit dhe Kryeministrit.
Por Tv Klan mëson se para se Rama të shkonte në zyrën e Presidentit Meta, në presidencë ka mbërritur dhe një letër e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati. Në këtë dokument, Presidentit i listohet i gjithë informacioni i kërkuar nga vet kreu i shtetit. Të njëjtat burime pohojnë se në këtë letër i janë dhënë përgjigje shteruese çdo kërkese të Presidentit. Pikërisht këto informacione shtesë duket se janë diskutuar edhe në takimin kokë më kokë që zgjati plot 60 minuta mes Edi Ramës dhe Ilir Metës. Çështja që ka zënë më shumë vend në diskutimin mes tyre padyshim ka qenë dakortësimi i një marrëveshje për ndarjen e hapësirës detare dhe zonave ekonomike që do t'i takojnë dy shteteve, si dhe qëndrimi që duhet të mbajë pala shqiptare në këto negociata.
Vetë kreu i shtetit i pyetur gjatë paradites së të mërkurës kur do të vijë përgjigjia për kërkesën për autorizim, u tregua i rezervuar. Ai nuk dha asnjë afat kohor edhe pse ministri i Jashtëm Ditmir Bushati një ditë më parë u duk optimist se kjo përgjigje nuk do të vonojë.
Kërkesa për marrjen e autorizimit i është dërguar Presidentit në mesin e muajit shkurt, por ai ka kërkuar dy herë informacion shtesë përfshirë edhe grupin negociator. Opozita kërkon përjashtim nga ky grup të Artur Meçollarit, pasi e akuzon si të përfshirë në spiunazh me shërbimet sekrete ruse dhe kineze.
Pas takimit me Kryeministrin, pritet hapi i radhës i Presidentit. Ky takim do të shërbejë dhe si një dëshmi nëse Kryeministri Rama ka qenë më bindës se ministri i tij Bushati, i cili po ashtu ka zhvilluar të paktën dy takime me Presidentin.

Share This Video


Download

  
Report form